Skip to main content

Etika profesionale në këshillim dhe psikoterapi


Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mi, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë

- Betimi i Hipokratit



Etika është një ndër shtyllat profesionale më të rëndësishme në ushtrimin e çdo profesioni, dhe sigurisht këtu nuk përjashtohet këshillimi psikologjik apo psikoterapia. Rregullat etike janë ato të cilat e drejtojnë sjelljen e një profesionisti tek dhënia e shërbimit sa më cilësor të mundshëm. Shërbimi cilësor nënkupton që në krye të vendosen interesat madhore të personave që e marrin shërbimin, në rastin e këshillimit psikologjik klientët ose pacientët. Parimet etike kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar me kalimin e viteve, dekadave, dhe shekujve. Etika sigurisht është dhe filozofi por edhe praktikë, duke qenë se në botën dhe shoqëritë ku jetojmë gjërat nuk janë asnjëherë bardhë e zi; njerëzit janë qenie të ndërlikuara dhe patjetër që shoqëritë dhe kulturat rrjedhimisht do të jenë të ndërlikuara. 

Disa parime etike janë kryesore në ushtrimin e profesionit të këshilluesit ose psikoterapistit. Përmbledhtazi, këto shtylla të zbatimit të etikës profesionale të psikologëve, sipas Këshillit për Psikoterapinë në Mbretërinë e Bashkuar, garantojnë një proçes profesional dhe efektiv të këshillimit psikologjik.

Interesat më të mirë të klientit. Garantimi i interesave më të mirë të klientit nënkupton trajtimin e klientëve me respekt, dinjitet, shmangien e abuzimit (emocional, ekonomik, seksual) me ta, respektimi i autonomisë së klientëve, respektimi i të drejtave ligjore (sidomos në rastet e punës me të mitur).
Diversiteti dhe barazia. Respektimi i diversitetit nënkupton përpjekjet e këshilluesve për të shmangur paragjykimet ndaj klientëve bazuar në gjini, moshë, ngjyrë lëkure, racë, aftësi të kufizuara, orientim seksual, status social, status ekonomik, status emigranti, mënyrë jetese, besim fetar apo kultutor, të cilat pengojnë formimin e një marrëdhënie të shëndetshme dhe frytdhënëse terapeutike.
Konfidencialiteti. Shpeshherë konfidencialiteti si parim etik konsiderohet parimi më i rëndësishëm i etikës profesionale. Sigurisht që askush prej nesh nuk do të shkonte, jo vetëm tek një këshillues, por dhe tek një mjek, avokat, ekonomist, etj., i cili ose e cila diskuton me të tjerë gjëra që janë personale per secilin. Këtu garantohet privatësia e çdo informacioni që thuhet në një seancë dhe mbulimi i çdo informacioni që mund të identifikojë një klient. Por konfidencialiteti ka disa kufizime ligjore, për shembull nëse një këshillues është në dijeni të një abuzimi të një të mituri, ai ose ajo është i/e detyruar ligjërisht të raportojë shkeljen ligjore. Zakonisht, për të shmangur moskuptimet ose keqinterpretimet mbi konfidencialitetin, këshilluesit ua bëjnë të ditur kufizimet ligjore klientëve, ose verbalisht ose nëpërmjet një kontrate të shkruar dhe të firmosur nga të dy palët.
Sigurisht që ka dhe parime të tjera etike të cilat janë më specifike dhe më teknike për profesionistët, por duhet thënë se pjesa më e madhe e çështjeve të garantimit të ofrimit të një shërbimi këshillues dhe psikterapeutik sa më cilësor bazohen në sinqeritet, respekt për klientët, ekspertizë profesionale, etj. Secili parim i shërben proçesit të këshillimit në mënyrën e vet. Për shembull, konfidencialiteti dhe sinqeriteti i shërbejnë ndërtimit të një marrëdhënie të shëndetshme profesionale dhe një aleance terapeutike e cila qendron në bërthamë të suksesit të seancave të këshillimit, mbarëvajtjes së trajtimit, dhe rezultateve të ndërhyrjeve dhe terapisë. Nga ana tjetër, respektimi i të diversitetit dhe barazisë, jo vetëm që është një e drejtë miminale e njeriut, por shumë klientëve i shërben si një katapultë drejt të ndjerit më të pranuar nëse zakonisht kanë qenë të diskriminuar, përjashtuar, abuzuar, shfrytëzuar, etj., dhe këtë pranim nuk e kanë gjetur në jetën e tyre.
Zbatimi i etikës profesionale është një rregull i rëndësishëm i rregulluar me ligj dhe nëse këto rregulla minimale nuk zbatohen, këshilluesit dhe psikoterapistët, mund të penalizohen në forma nga më të ndryshmet. Për më tepër informacione mund t'i referoheni faqes së burimeve të informacionit, në krye të faqes.

Shënim: Nëse ju (ose dikush që njihni) ndieni se keni nevojë për ndihmë ose këshillim psikologjik, mos hezitoni të kontaktoni në nr. tel. +3556353610, ose në email almirxhangolli@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

Proçesi i këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë

... Individualiteti njerëzor ka nevojë për kushte të favorshme për t'u rritur "nga një rrënjë në një lis"... - Karen Horney Qysh kur kam nisur studimet për psikologji dhe deri tani (e besoj do të vazhdojë e më vonë) më ka rastisur të dëgjoj një mori mitesh, legjendash, keqkuptimesh e moskuptimesh (por sigurisht dhe të vërteta) mbi proçesin e këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë. Shumë më kanë pyetur nëse arrij të lexoj mendje, të tjerë më kanë kërkuar nëse mund t'i "psikologjis", ose mund të jenë rezervuar sepse kanë menduar se jam duke i "analizuar". Madje edhe më kanë pyetur nëse janë "të çmendur". Sigurisht shumica e njerëzve kanë qenë tepër kuriozë dhe më kanë bërë pyetje të ndryshme mbi këshillimin psikologjik, dhe për ta përshkruar atë po e nis me disa mite të shpeshta: Të shkosh tek terapisti është njësoj si të flasësh me një shok/shoqe; Të shkosh tek terapisti do të thotë se je i/e çmendur; Këshillimi psikologj...

Paragjykimet dhe stigmat ndaj shëndetit mendor, kërkimit të ndihmës profesionale, dhe këshillimit psikologjik

Të vetmit njerëz normalë janë ata që nuk i njeh mjaftueshëm - Alfred Adler Para disa ditësh isha në një piceri duke pritur të merrja picën time. Në lajme ishte një kronikë mbi shëndetin mendor në Shqipëri. Një djalë përmendi një rast në Itali ku një nënë kishte vrarë foshnjën e saj dy muajshe (pa ditur detaje, mund të hamendësoj prej depresionit pas lindjes, i quajtur ndryshe depresioni post-partum), dhe një djalë tjetër e shau këtë gruan në një mënyrë agresive dhe të tmerrshme, dhe që besoj se mund ta merrni me mend se ç'tha. Doja të ndërhyja por isha tepër i uritur dhe do të ishte debat i kotë besoj. Sigurisht që humbja e jetës është gjithmonë tragjike, për më tepër e një fëmije. Sidoqoftë ndjeva një neveri në ato momente. Megjithatë, për fat të keq depresioni post-partum është një shqetësim i rëndë dhe që duhet trajtuar, dhe nuk mund të shihet një grua që vuan si kriminele dhe nuk i meriton gjykime të tilla.  Pargjykimet janë një fenomen i njohur, secili prej nesh...