Nëse truri i njeriut do të ishte kaq i thjeshtë sa ne ta kuptonim, ne do të ishim aq të thjeshtë sa nuk do ta kuptonim
- Emerson M. Pugh
Në jetën moderne njeriu bart me vete shumë probleme të lashta në origjinën e tyre. Kjo jetë e sotme ka një shpejtësi shpeshherë marramendëse saqë nuk na lë mjaftueshëm kohë për t'u marrë as me veten tonë si qenie njerëzore. Nevoja për t'u përshtatur me kërkesat e mjedisit është e menjëhershme përndryshe mund të mbetesh prapa në shumë gjëra dhe veçanërisht në aspektet profesionale (mund të mbetesh edhe pa punë.) Në këtë seri përshtatjesh të njëpasnjëshme ne na ndodh të harrojmë dhe veten tonë diku, dhe as nuk e kujtojmë ku e kemi lënë. Sigurisht që kjo harresë do të pasohet nga shqetësime emocionale dhe mendore. Të gjithë ne e kemi kapur veten tonë duke ndier boshllëqe, konfuzione, dëshpërime, ankthe, për të cilat nuk dimë as ku ta vendosim gishtin për fajtorin që na i sjell.
E nisa këtë shkrim me jetën moderne me probleme të lashta në origjinë sepse ankthet, dëshpërimet, konfuzionet, boshllëqet, nuk janë aspak fenomene të reja që i has vetëm njeriu modern i periudhës pas Luftës së Dytë Botërorë në Evropë dhe Amerikën e Veriut, apo vetëm shqiptari i epokës post-komuniste (i referohem këtyre periudhave meqënëse ka pasur një "shpërthim" të shqetësimeve emocionale në vendet dhe epokat përkatëse.) Të tilla çështje njihen dhe janë dokumentuar prej mijëra vitesh, dhe ndoshta origjinën e tyre e kanë me vetë evolucionin njerëzor. Trajtimet e shqetësimeve të tilla kanë qenë të ndryshme sipas kohës, nga më beninjet si të folurit me figura fetare apo shërues shpirtërorë sipas kulturave e deri tek ato makabret, të cilat nuk po i përmend por secili mund të kërkojë pak në Google për të shuar kuriozitetin.
Mjekësia moderne ka qenë një mrekulli e arritjeve njerëzore si në kuptimin shkencor, teknologjik, por edhe të inteligjencës dhe kapaciteteve njerëzore. Nëpërmjet saj ne jo vetëm që kemi zhdukur sëmundje që më parë vrisnin miliona njerëz, por kemi arritur që një person në të pesëdhjetat të jetë i ri në kulmin e jetës, ndryshe nga para pak shekujsh që ajo moshë ishte ëndërr për shumë. Por, fatkeqësisht ose fatmirësisht (çdokush mund ta shohë sipas perceptimit personal) mendja njerëzore ka rezultuar të jetë tmerrësisht më e komplikuar se kaq. Disa madje shprehen se truri njerëzor mbetet misteri më i madh i të gjithë universit. Mund të duket pak e pabesueshme, por po të reflektojmë pak ka një vërtetësi aty.
Psikiatria moderne dhe psikologjia janë shkenca relativisht të reja në faza fillestare të tyret (rreth një shekull e gjysmë.) Pa dashur të bëj një leksion historie, përparimet më të mëdha në studimin e mendjes dhe shëndetit mendor i shohim tek përpjekjet e shumë mendimtarëve si Emil Kraeplin, Josef Breuer, Jean Charcot, Sigmund Freud, etj. Veçanërisht Josef Breuer në bashkëpunim me Sigmund Freud patën merita të jashtëzakonshme në zhvillimin e terapisë së të folurit. Breuer trajtonte një paciente, Anna O., e cila kishte simptoma të ndryshme si paraliza të pjesshme, shikim të turbulluar, dhimbje koke, haluçinacione, etj. Gjatë punës me të, Breuer vuri re se duke folur, shpesh asaj i lehtësoheshin simptomat. Vetë Anna O. e emërtoi këtë lloj trajtimi si "kura nëpërmjet të folurit". Freud ndërkohë asnjëherë nuk e takoi personalisht Anna O., por punonte ngushtë me Breuer dhe ishte i magjepsur nga rasti i saj. Ai vazhdoi të zhvillonte teorinë e tij mbi terapinë e të folurit, të cilën ai e emërtoi me emrin e famshëm 'psikoanalizë' (për kurioztet, emri i vërtetë i Anna O. ishte Bertha Pappenheim, e cila ishte një ndër pionieret e punës sociale në Gjermani dhe Evropë.)
Freud dhe teoria e tij psikoanalitike nisi të ndizte "motorrët" e shëndetit mendor në Gjermani, Francë, Mbretëri të Bashkuar, dhe më pas dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e më tej. Ai si figurë por dhe teoritë e tij shkaktuan debate të forta në mjediset shkencore, shumë e diskredituan dhe e hodhën poshtë, shumë të tjerë e mbështetën dhe e zhvilluan më tej. Kjo lloj përçarje mes shkencëtarëve të shëndetit mendor solli përparime të mëdha sepse shumë prej tyre nisën të përdorin edhe metodat e kërkimit shkencor qoftë për ta hedhur poshtë, qoftë për ta mbështetur. Përdorimi i këtyre metodave solli zbulime të mëdha në fushën e psikologjisë, psikoterapisë, psikiatrisë, shëndetit mendor, e deri duke arritur tek neuroshkenca në ditët e sotme.
Terapia e të folurit ka rreth një shekull që aplikohet si një metodë legjitime, shkencore, dhe frytdhënëse e trajtimit të shqetësimeve emocionale dhe mendore. Sigurisht që këtu dua të ndalem pak tek pjesa e paragjykimeve që kanë njerëzit ndaj këtyre shqetësimeve: shëndeti mendor është një përbërës jashtëzakonisht i rëndësishëm i shëndetit tërësor, shqetësimet emocionale dhe mendore janë probleme të vërteta dhe që nuk janë "thjesht në mendje", të gjithë kemi nevojë të flasim për to, të gjithë kemi nevojë për ndihmë. Nuk ka asgjë për turp, nuk ka asgjë që "nuk shkon" me ju, nuk jeni "të çmendur" nëse kërkoni ndihmë apo flisni për problemet tuaja qoftë me të dashurit tuaj, qoftë me profesionistët e shëndetit mendor.
Për të rishkuar tek titulli i këtij postimi, këshillimi psikologjik në thelb të tij është metoda e trajtimit të shqetësimeve dhe turbullimeve emocionale dhe mendore nëpërmjet të folurit për to. Sigurisht që ky përkufizim është tepër i vakët dhe i padrejtë për këtë proçes, por është një hyrje në idenë kryesore të saj. Psikoterapia është njëkohësisht art dhe shkencë; art sepse vetë qenia njerëzore e ndërlikuar kërkon ngrohtësinë dhe empatinë njerëzore për të arritur lidhjen me personin që kërkon ndihmë, dhe shkencë sepse sigurisht që metodat e trajtimit kanë nevojë për mbështetjen e kërkimit shkencor nga fusha të ndryshme si neurobiologjia, psikologjia, psikiatria, neuroshkenca, për të kuptuar funksionimin e mendjes njerëzore dhe gjetjes së metodave më efektive të mundshme të trajtimit. Por për fatin tonë ndoshta të keq, psikoterapia nuk është një kurë magjike. Ne si psikologë, psikoterapistë por dhe si qenie njerëzore nuk jemi magjistarë dhe nuk mund të zhdukim shqetësimet tona me një shkop magjik ose me një fjalë apo frazë që mund të themi. Psikoterapia kërkon përkushtim, punë, kohë, dhe sidomos durim, nga të dy palët, si nga klientët/pacientët ashtu dhe nga psikoterapistët.
Shënim: Nëse ju (ose dikush që njihni) ndieni se keni nevojë për ndihmë ose këshillim psikologjik, mos hezitoni të kontaktoni në nr. tel. +3556353610, ose në email almirxhangolli@gmail.com
Comments
Post a Comment