Qëllimi i psikoterapisë është të çlirojë njeriun
- Rollo May
Psikoterapia dhe këshillimi psikologjik në Shqipëri është një shkencë dhe profesion i aplikuar prej vetëm pothuajse dy dekadash, ndërkohë që në botë (sidomos në perëndim) ka mbi një shekull që zhvillohet në mënyrë të vazhdueshme me metoda dhe ndërhyrje të cilat bëhen gjithmonë e më efektive. Fakti që ka kaq pak kohë që praktikohet, e bën psikoterapinë shpesh një mister për shumë njerëz. Kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se këshillimi apo psikoterapia është diçka magjike, sekrete, apo mistike. Përkundrazi, është një proçes tepër i vlefshëm dhe ndihmues për shumë njerëz të cilët në momente të ndryshme të jetës kërkojnë ndihmë profesionale për të kapërcyer sfidat dhe vuajtjet e jetës.
Së pari dëshiroj të bëj një sqarim lidhur me termat këshillim psikologjik dhe psikoterapi. Nga ana teknike, këshillimi psikologjik i shërben më tepër problematikave të jetës së përditshme në aspektet personale, profesionale apo dhe të marrëdhënieve të klientëve me njerëzit përreth tyre, ndërsa psikoterapia kryesisht trajton çrregullimet mendore të cilat janë të diagnostikuara, për shembull nga një mjek psikiatër, ose simptoma të cilat janë të dallueshme nga vetë pacienti, për shembull problemet me gjumin, ankthi ekstrem, dëshpërimet e thella, humori i luhatshëm në skaje, dhe shumë shqetësime të tjera të thella psikologjike.
Në praktikë, psikoterapia dhe këshillimi psikologjik nuk kanë shumë dallime, për disa arsye. Kryesorja është fakti që për shumë njerëz psikoterapia mund të jetë e fundit në listë, pasi mund të kenë provuar shumë mënyra për të trajtuar një shqetësim të tyre dhe nuk ja kanë dalë mbanë. Në këto momente, shpesh problemi mund të jetë përkeqësuar dhe të ketë kaluar në simptoma edhe fizike. Arsye tjetër po aq kryesore është se në praktikën klinike njerëzit mund të paraqesin shqetësime "të lehta", të cilat pasi janë eksploruar, klientët zbulojnë problematika më të thella dhe në këto momente zbehet dallimi mes proçesit të këshillimit dhe psikoterapisë. Për më tepër, profesionistët e shëndetit mendor nuk dëshirojnë të bëjnë dallime termash në punën klinike sepse synimi është që çdo njeri të përpiqet të gëzojë shëndet të plotë si mendor ashtu dhe fizik, duke mos përjashtuar as personat me shqetësime ndoshta në dukje më të lehta dhe as personat me ndonjë diagnozë psikiatrike apo me simptoma të dukshme.
Për të kaluar tek pyetja në titull, më poshtë janë renditur disa nga arsyet më të zakonshme që njerëzit mund të zgjedhin këshillimin psikologjik dhe psikoterapinë.
- "Jam student dhe nuk po arrij të përshtatem me universitetin"
- "Kam probleme në çift/familje që nuk po i zgjidh dot"
- "Kam disa javë që e bëj gjumin shumë të pakët dhe të çrregullt"
- "Ndiej që më ka rënë motivimi për shumë gjëra që më parë i bëja me dëshirë"
- "Jam në dilemë ta lë ose jo punën që jam tani"
- "Kam kohë që ndihem shumë i/e dëshpëruar, trishtuar, dhe qaj shumë"
- "Kam rrahje të shpeshta të zemrës por ekzaminimet më kanë dalë të gjitha në rregull"
- "Konsumi i alkoolit po më del jashtë kontrollit"
- "Kam pasur disa mendime për të dëmtuar veten ose të tjerët dhe që më kanë shqetësuar shumë"
Për sa i përket pyetjes "kur?" zakonisht nuk ka një përgjigje fikse dhe të saktë. Siç thashë dhe pak më sipër, shpesh ndodh që klientët të kontaktojnë një psikoterapist në momente kritike, por kjo absolutisht nuk është e rekomandueshme. Duke bërë një paralelizëm, ju nuk do të prisnit derisa të thyheshin të gjitha kockat para se të trajtonit një dorë të thyer. Ngjashmërisht, nëse ndieni se keni nevojë për ndihmë mbi shqetësimet tuaja mendore ose emocionale, sa më herët të kërkoni ndihmë, aq më mirë do të jetë.
Shënim: Nëse ju (ose dikush që njihni) ndieni se keni nevojë për ndihmë ose këshillim psikologjik, mos hezitoni të kontaktoni në nr. tel. +3556353610, ose në email almirxhangolli@gmail.com
Comments
Post a Comment