Skip to main content

Psikoanaliza


Psikoanaliza është, në thelb, një kurë nëpërmjet dashurisë

- Sigmund Freud

Çdo qasje ndaj natyrës njerëzore priret të ketë kundërshti, por nëse flasim për teorinë më kontroverse të mendjes, këtë trofe e mban pa asnjë fije dyshimi teoria psikoanalitike, e themeluar nga Sigmund Freud. Supozimet e Freud patën një efekt shpërthyes sa i përket debateve mbi funksionimin e mendjes njerëzore, dhe këto debate vazhdojnë edhe sot . Kundërshtitë ndaj teorisë së Freud nisën me idenë se njeriu që në lindje është një qenie seksuale, vazhduan më pas me hedhjen poshtë të pavetëdijes si strukturë e psikikës, e për të vazhduar në ditët e sotme nëse teoritë e tij janë shkencërisht të vlefshme ose jo. Pavarësisht të gjithave, një gjë është e sigurtë: Sigmund Freud ka merita të jashtëzakonshme dhe të pamohueshme në kuptimin që ne kemi sot për mendjen, shëndetin mendor, psikopatologjitë, individin, shoqërinë. 

Para se të vazhdoj me historinë e psikoanalizës (për të cilën në fakt do të nevojiteshin libra të tërë), po parashtroj disa mite mbi psikoanalizën:
  • Psikoanaliza lidhet vetëm me seksin;
  • Psikoanaliza = Freud;
  • Psikoanaliza nuk ka mbështetje shkencore;
  • Psikoanaliza kushton shumë;
  • Psikoanaliza zgjat me vite të tëra dhe nuk mbaron kurrë;
  • Psikoanaliza lidhet vetëm me të shkuarën dhe nuk merret fare me të tashmen;
  • Psikoanaliza ja hedh fajin babit (ose mamit).
Historia e psikoanalizës daton qysh para se Freud të niste punën si mjek neurolog në Vienë. Megjithëse nuk ekzistonte ky term, përpjekjet për të kuruar sëmundjet ishin kryer më herët nga shumë mjekë të mesit dhe fundit të shekullit XIX. Josef Breuer trajtonte atëherë një paciente, të quajtur me pseudonimin Anna O. (emri i vërtetë i saj ishte Bertha Pappenheim, pioniere e punës sociale në Gjermani dhe Evropë). Anna O. vuante nga simptoma fizike të ndryshme, të cilat Breuer vuri re se reduktoheshin në momentet që ajo fliste mbi to. Anna O. e emërtoi këtë lloj terapie si "kura e të folurit." Sigmund Freud nuk e takoi asnjëherë personalisht Anna O., por punonte në korrespondencë me Breuer. Sigmund Freud nisi më pas të aplikonte kurën e të folurit me pacientët e tij dhe vuri re që atyre u reduktoheshin simptomat. Gjatë viteve të punës ai zhvilloi disa teknika të punës me problemet e shëndetit mendor, të grumbulluara nën ombrellën e psikoanalizës.

Fillimisht duhet shpjeguar në vija të trasha teoria e mendjes e Freud. Sipas Freud, mendja njerëzore është e ndarë në vetëdije, paravetëdije, dhe pavetëdije. Vetëdija është elementi në të cilin ne kemi informacione të cilat i sjellim lehtësisht në kujtesë në momentin që na kërkohen (p.sh., emri, datëlindja, shkolla që kemi mbaruar, puna, njerëzit e afërt, etj.). Paravetëdija përmban informacione të cilat ne na duhet pak më tepër përpjekje për t'i sjellë në mendje. Pavetëdija është ajo pjesë në të cilat ne kemi informacione, ndjenja, mendime, imazhe, fantazi, ide, dëshira, etj., të cilat janë "shtypur" ose represuar në gjuhën e psikoanalizës. Zakonisht, këto elementë të represuara janë të papërshtatshëm me egon dhe/ose superegon (moralin vetjak, veten ideale, apo moralin shoqëror dhe kulturor).

Freud më pas zhvilloi teorinë e tij strukturore, sipas së cilës mendja njerëzore ka tre struktura. Idi është pjesa primitive e mendjes njerëzore. Me id Freud kuptonte atë pjesë e cila funksiononte në bazë të parimit të kënaqësisë për të përmbushur nevojat parësore të mbijetesës dhe riprodhimit (uji, ushqimi, seksi, agresioni, etj). Idi është pjesë e cila është e paarsyeshme, e palogjikshme, kaotike, infantile. Ego është ajo strukturë e cila zhvillohet pas idit si rrjedhojë e kërkesave të mjedisit. Pra, ego funksionon sipas parimit të realitetit, duke u përpjekur të plotësojë nevojat e idit në mënyra të përshtatshme shoqërore. Superego është struktura morale, e cila zhvillohet rreth moshës 3-5 vjeç sipas rregullave dhe kërkesave morale të shoqërisë.

Idi është plotësisht i pavetëdijshëm. Ai operon në terma të dëshirave, fantazive, apo ndjesive të cilat nuk e njohin realitetin jashtë por kanë nevojë të menjëhershme për t'u përmbushur. Ndërsa ego dhe superego janë pjesërisht të vetëdijshme, pjesërisht të paravetëdijshme, dhe pjesërisht të pavetëdijshme. Ego, në pjesën e pavetëdijshme, operon nëpërmjet mekanizmave mbrojtës (koncepti i mekanizmave mbrojtës është zhvilluar më në thellësi nga e bija, Anna Freud). Mekanizmat mbrojtës na ruajnë ne nga ankthi që mund të sjellin impulset ose dëshirat e pavetëdijshme dhe të papranueshme nga vetëdija jonë apo nga morali shoqëror. Idi dhe superego janë gjithë kohës në konflikt. Ego është struktura mediatore e konfliktit. Shqetësimet mendore nisin zakonisht në momentet kur ego nuk i menaxhon shëndetshën konfliktet.

Freud në fillim i inkurajonte pacientët të flisnin lirshëm për çdo gjë që atyre u shkonte në mendje. Kjo teknikë, e quajtur asosacionet e lira, i lejonte pacientët që pas pak kohësh të shkonin tek rrënjët traumatike të problemeve të tyre. Por shpesh ndodhte që pacientët të bllokoheshin në momente të cilat mund të kishte ndjesi, mendime, fantazi, ide, dëshira të pakëndshme apo të papranueshme. Këto rezistenca Freud në fillim i pa si penguese, madje shpesh i "akuzonte" pacientët se po rezistonin. Por më pas kuptoi që rezistencat ishin të pavetëdijshme dhe nisi t'i analizonte ato për të hyrë më thellë në pavetëdijen e pacientëve. Freud vuri re se shpesh pacientët i "vishnin" atij ndjenja, mendime, fantazi, imazhe, të cilat në fakt nuk ishin të drejtuara tek ai personalisht apo si terapist por lidheshin me njerëz të afërt me pacientët (zakonisht prindërit). Këtë fenomen ai e etiketoi me emrin transferencë. Transferencën ai e pa si një mjet për të shkuar pikërisht tek këto ndjenja ndaj njerëzve të afërt herët në jetë, ndjenja për të cilat pacientët ishin të pavetëdijshëm. Katarsis ishte "shërimi" i pacientëve, ku ata kuptonin konfliktet e tyre dhe nëpërmjet vetëdijësimit mbi aspektet e pavetëdijes së vet arrinin të reduktonin simptomat e shfaqura. Terapia frojdiane klasike zhvillohej me pacientin e shtrirë në krevatin e famshëm (në figurën e mësipërme), me terapistin që rrinte prapa në mënyrë që të ishte sa më pak prezent gjatë asosacioneve të lira, për të mundësuar shprehjen më lirshëm të pacientëve.

Që prej Freud, psikoanaliza ka ndryshuar tmerrësisht shumë. Bazuar në idetë e tij shumë mendimtarë, shkencëtarë, autorë, terapistë, i kanë mbështetur, kundërshtuar, apo plotësuar përfundimet e tij. Brenda saj ka pasur rryma të shumta mendimi, si psikologjia e egos (Erik Erikson, Anna Freud, Heinz Hartmann), psikologjia e vetes (Heinz Kohut), marrëdhëniet me objektin (Melanie Klein, Donald Winnicott, Otto Kernberg), psikoanaliza ndërpersonale (Harry Stack Sullivan), atashimi (John Bowlby, Mary Ainsworth, Margaret Mahler) apo dhe mendimtarë pasues si Carl Jung, Jacques Lacan, e shumë të tjerë. Për një histori të mirëfilltë të psikoanalizës janë shkruar libra të tërë dhe nuk mjafton një faqe blogu. Kjo është thjesht një hyrje në disa pika kyçe të psikoanalizës dhe teorive psikodinamike të mendjes njerëzore.

Sot, përpjekjet e psikoterapistëve që ndjekin shkollën psikodinamike përpiqen të integrojnë modele nga teori të ndryshme, ku fokusi kryesor qëndron gjithnjë tek klienti që kanë përballë dhe duke përshtatur teknikat sipas kontekstit të klientit. Sigurisht që terapia psikodinamike moderne nuk përfundon me katarsisin por qëllimi është ndryshimet themelore në psikikën e pacientëve, të cilat përfshijnë fuqizimin e ndershmërisë me veten, zhvillimin e veprimtarisë, forcimit të kohezionit të vetes dhe vetëvlerësimit, rritja e tolerancës ndaj emocionalitetit dhe ngjyrimeve të tij, si dhe zhvillimi i kapaciteteve për marrëdhënie të shëndetshme. Teknikat e përdorura nga Freud vazhdojnë ende të përdoren, por janë shtuar edhe elementë të tjerë si kundërtransferenca, takimet ballë për ballë periodike, hapësira emocionale mes klientit dhe terapistit, kallëzimi vetjak i terapistit, etj. Orientimi psikoanalitik modern bazohet në parimin e vendosjes së një marrëdhënie intime, tepër personale, emocionalisht të pasur, në të cilën klienti dhe terapisti së bashku zbulojnë pengesat e pavetëdijshme dhe punojnë për t'i tejkaluar ato.

Shënim: Nëse ju (ose dikush që njihni) ndieni se keni nevojë për ndihmë ose këshillim psikologjik, mos hezitoni të kontaktoni në nr. tel. +3556353610, ose në email almirxhangolli@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

Proçesi i këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë

... Individualiteti njerëzor ka nevojë për kushte të favorshme për t'u rritur "nga një rrënjë në një lis"... - Karen Horney Qysh kur kam nisur studimet për psikologji dhe deri tani (e besoj do të vazhdojë e më vonë) më ka rastisur të dëgjoj një mori mitesh, legjendash, keqkuptimesh e moskuptimesh (por sigurisht dhe të vërteta) mbi proçesin e këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë. Shumë më kanë pyetur nëse arrij të lexoj mendje, të tjerë më kanë kërkuar nëse mund t'i "psikologjis", ose mund të jenë rezervuar sepse kanë menduar se jam duke i "analizuar". Madje edhe më kanë pyetur nëse janë "të çmendur". Sigurisht shumica e njerëzve kanë qenë tepër kuriozë dhe më kanë bërë pyetje të ndryshme mbi këshillimin psikologjik, dhe për ta përshkruar atë po e nis me disa mite të shpeshta: Të shkosh tek terapisti është njësoj si të flasësh me një shok/shoqe; Të shkosh tek terapisti do të thotë se je i/e çmendur; Këshillimi psikologj...

Etika profesionale në këshillim dhe psikoterapi

Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mi, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë - Betimi i Hipokratit Etika është një ndër shtyllat profesionale më të rëndësishme në ushtrimin e çdo profesioni, dhe sigurisht këtu nuk përjashtohet këshillimi psikologjik apo psikoterapia. Rregullat etike janë ato të cilat e drejtojnë sjelljen e një profesionisti tek dhënia e shërbimit sa më cilësor të mundshëm. Shërbimi cilësor nënkupton që në krye të vendosen interesat madhore të personave që e marrin shërbimin, në rastin e këshillimit psikologjik klientët ose pacientët. Parimet etike kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar me kalimin e viteve, dekadave, dhe shekujve. Etika sigurisht është dhe filozofi por edhe praktikë, duke qenë se në botën dhe shoqëritë ku jetojmë gjërat nuk janë asnjëherë bardhë e zi; njerëzit janë qenie të ndërlikuara dhe patjetër që shoqëritë dhe kulturat rrjedhimisht do të jenë të ndërlikuara.  Disa...

Paragjykimet dhe stigmat ndaj shëndetit mendor, kërkimit të ndihmës profesionale, dhe këshillimit psikologjik

Të vetmit njerëz normalë janë ata që nuk i njeh mjaftueshëm - Alfred Adler Para disa ditësh isha në një piceri duke pritur të merrja picën time. Në lajme ishte një kronikë mbi shëndetin mendor në Shqipëri. Një djalë përmendi një rast në Itali ku një nënë kishte vrarë foshnjën e saj dy muajshe (pa ditur detaje, mund të hamendësoj prej depresionit pas lindjes, i quajtur ndryshe depresioni post-partum), dhe një djalë tjetër e shau këtë gruan në një mënyrë agresive dhe të tmerrshme, dhe që besoj se mund ta merrni me mend se ç'tha. Doja të ndërhyja por isha tepër i uritur dhe do të ishte debat i kotë besoj. Sigurisht që humbja e jetës është gjithmonë tragjike, për më tepër e një fëmije. Sidoqoftë ndjeva një neveri në ato momente. Megjithatë, për fat të keq depresioni post-partum është një shqetësim i rëndë dhe që duhet trajtuar, dhe nuk mund të shihet një grua që vuan si kriminele dhe nuk i meriton gjykime të tilla.  Pargjykimet janë një fenomen i njohur, secili prej nesh...