Skip to main content

Qasja konjitive-bihejvjorale (njohëse-sjellore)


Njeriu shqetësohet jo nga gjërat, por nga mënyra si i merr ai ato

- Albert Ellis



Nëse debatet kundër psikoanalizës rreth mesit të shekullit të kaluar patën rezultat, ai ishte lindja e një orientimi të ri teorik mbi këshillimin dhe psikoterapinë. Orientimi konjitiv-bihejvjoral ishte përfundimi i disa zhvillimeve filozofike dhe të mendimit psikologjik asokohe. Bihejvjorizmi kishte nisur të merrte një hov të madh fillimisht si një shkollë mendimi e kërkimit shkencor mbi sjelljen njerëzore. Vetë fjala bihejvjorizëm përkthehet në sjellje. John Watson, Ivan Pavlov, B. F. Skinner, e të tjerë, në mënyrë të pavarur, punuan për dekada të tëra për të hedhur dritë mbi natyrën e sjelljes njerëzore dhe dolën në teoritë e tyre me parimet e kushtëzimit klasik dhe kushtëzimit veprues. Parimet bihejvjoriste nisën të aplikoheshin dhe në fushat e trajtimit të shqetësimeve psikologjikë, sidomos tek fobitë dhe frikërat.

Shkolla kognitive i ka rrënjët e saj në filozofinë stoiciste, sipas së cilës ne mund të zgjidhim shqetësimet tona emocionale duke aplikuar logjikën në shkatërrimin e besimeve tona të rreme të cilat sjellin shqetësimin emocional. Albert Ellis ishte ndër të parët studiues dhe terapistë i cili aplikoi parimet e logjikës në këshillim psikologjik, duke e quajtur rrymën e tij si terapia racional-emocional-sjellore, ose ndryshe e njohur me akronimin REBT. Ndërkohë që pionieri i terapisë konjitive-bihejvjorale, ose ndryshe e njohur me akronimin CBT, ishte Aaron Beck. I trajnuar si psikoanalist, gjatë punës klinike me pacientët e tij, Beck zbuloi se shumë asosacione të lira nuk ishin dhe aq të pavetëdijshme sa kishte supozuar Freud, dhe se disa prej tyre ishin kontribues në shqetësimet emocionale të pacientëve. Nga vëzhgimet e tij, Beck nisi dhe punën me botimin e shumë librave mbi CBT në lidhje me lloje të ndryshme të shqetësimeve emocionale.
Terapia konjitive-bihejvjorale bazohet në ndërthurjen e parimeve të sjelljes njerëzore, pra të bihejvjorizmit, si kushtëzimi klasik dhe kushtëzimi veprues, me parimet e konjicionit njerëzor. Konjicioni njerëzor përfshin proçeset e brendshme të individit të cilat ndërmjetësojnë njohjen dhe përshtatjen me botën e jashtme. Në proçeset konjtive përfshihen të tilla si kujtesa, perceptimi, të menduarit, besimet, imagjinata, vëmendja, etj. Në CBT shfrytëzohen njohuritë e shkencave të konjicionit për të kuptuar arsyet përse individi që vjen në zyrën e këshillimit. Arsyet e shqetësimeve janë pikërisht së brendshmi, në mënyrën se si ne e shohim botën, më tepër sesa gjërat që na ndodhin. Sigurisht, thënë këtë, nuk duhet nënkuptuar se ato që ndodhin janë pa rëndësi, por se ne mund të ndryshojmë këndvështrimin tonë mbi ngjarjet dhe jo ngjarjen në vetvete, mbi të cilët nuk kemi asgjë në dorë.

Një terapist CBT përpiqet të ndihmojë klientët të ndryshojnë mendimet automatike, mendimet ndërmjetëse, dhe besimet themelore të tyre, si shkaktare të turbullirave emocionale dhe sjelljeve të papërshtatshme. Kjo arrihet me teknika të ndryshme, ku në themel të tyre qëndron pjesa logjike dhe e fakteve mbi situatat, veten, njerëzit, dhe çdo gjë të lidhur me shqetësimet. Gjithashtu, disa teknika nisin nga ndryshimet e sjelljeve për të arritur ndryshimet në mendime apo emocione.

Terapia konjitive-bihejvjorale ka rezultuar tepër efektive me një rang të gjerë shqetësimesh emocionale dhe çrregullime mendore, dhe në veçanti me shqetësimet e ankthit, fobitë, ataket e panikut, depresionin, deri tek çrregullimet më të thella të personalitetit. Avanatazhet e kësaj terapie qëndrojnë në faktin se është e shënjestruar ndaj problemeve që paraqet klienti, është e strukturuar, dhe është efektive, të paktën në terma afatshkurtër, ku sigurisht disa lloje shqetësimesh kanë nevojë për trajtime më afatgjata. Sigurisht, si çdo shkollë mendimi psikologjike nuk ka mbetur pa u kritikuar, në këtë rast si e thjeshtëzuar, e shkurtër, bazike, sipërfaqësore. Por sidoqoftë, të gjithë studiuesit dhe terapistët bien dakord që ka meritat e saj, si çdo rrymë e këshillimit, dhe se rezultatet varen shpesh nga vetë terapisti dhe marrëdhënia dhe aleanca që krijon me pacientët.

Shënim: Nëse ju (ose dikush që njihni) ndieni se keni nevojë për ndihmë ose këshillim psikologjik, mos hezitoni të kontaktoni në nr. tel. +3556353610, ose në email almirxhangolli@gmail.com

Comments

Popular posts from this blog

Proçesi i këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë

... Individualiteti njerëzor ka nevojë për kushte të favorshme për t'u rritur "nga një rrënjë në një lis"... - Karen Horney Qysh kur kam nisur studimet për psikologji dhe deri tani (e besoj do të vazhdojë e më vonë) më ka rastisur të dëgjoj një mori mitesh, legjendash, keqkuptimesh e moskuptimesh (por sigurisht dhe të vërteta) mbi proçesin e këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë. Shumë më kanë pyetur nëse arrij të lexoj mendje, të tjerë më kanë kërkuar nëse mund t'i "psikologjis", ose mund të jenë rezervuar sepse kanë menduar se jam duke i "analizuar". Madje edhe më kanë pyetur nëse janë "të çmendur". Sigurisht shumica e njerëzve kanë qenë tepër kuriozë dhe më kanë bërë pyetje të ndryshme mbi këshillimin psikologjik, dhe për ta përshkruar atë po e nis me disa mite të shpeshta: Të shkosh tek terapisti është njësoj si të flasësh me një shok/shoqe; Të shkosh tek terapisti do të thotë se je i/e çmendur; Këshillimi psikologj...

Etika profesionale në këshillim dhe psikoterapi

Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mi, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë - Betimi i Hipokratit Etika është një ndër shtyllat profesionale më të rëndësishme në ushtrimin e çdo profesioni, dhe sigurisht këtu nuk përjashtohet këshillimi psikologjik apo psikoterapia. Rregullat etike janë ato të cilat e drejtojnë sjelljen e një profesionisti tek dhënia e shërbimit sa më cilësor të mundshëm. Shërbimi cilësor nënkupton që në krye të vendosen interesat madhore të personave që e marrin shërbimin, në rastin e këshillimit psikologjik klientët ose pacientët. Parimet etike kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar me kalimin e viteve, dekadave, dhe shekujve. Etika sigurisht është dhe filozofi por edhe praktikë, duke qenë se në botën dhe shoqëritë ku jetojmë gjërat nuk janë asnjëherë bardhë e zi; njerëzit janë qenie të ndërlikuara dhe patjetër që shoqëritë dhe kulturat rrjedhimisht do të jenë të ndërlikuara.  Disa...

Paragjykimet dhe stigmat ndaj shëndetit mendor, kërkimit të ndihmës profesionale, dhe këshillimit psikologjik

Të vetmit njerëz normalë janë ata që nuk i njeh mjaftueshëm - Alfred Adler Para disa ditësh isha në një piceri duke pritur të merrja picën time. Në lajme ishte një kronikë mbi shëndetin mendor në Shqipëri. Një djalë përmendi një rast në Itali ku një nënë kishte vrarë foshnjën e saj dy muajshe (pa ditur detaje, mund të hamendësoj prej depresionit pas lindjes, i quajtur ndryshe depresioni post-partum), dhe një djalë tjetër e shau këtë gruan në një mënyrë agresive dhe të tmerrshme, dhe që besoj se mund ta merrni me mend se ç'tha. Doja të ndërhyja por isha tepër i uritur dhe do të ishte debat i kotë besoj. Sigurisht që humbja e jetës është gjithmonë tragjike, për më tepër e një fëmije. Sidoqoftë ndjeva një neveri në ato momente. Megjithatë, për fat të keq depresioni post-partum është një shqetësim i rëndë dhe që duhet trajtuar, dhe nuk mund të shihet një grua që vuan si kriminele dhe nuk i meriton gjykime të tilla.  Pargjykimet janë një fenomen i njohur, secili prej nesh...