Skip to main content

Çrregullimet e Ankthit


Ankthi është si një karrike lëkundëse: të jep diçka për të bërë, por nuk të çon shumë larg

- Jodi Picoult


Shënim paraprak: Të mëposhmet janë listuar vetëm për qëllim informimi dhe nuk duhet të përdoren në asnjë mënyrë për të diagnostikuar veten apo të tjerë. Nëse mendoni se keni shqetësime të tilla, ose njihni një person me këto shqetësime, klikoni këtu.


Ne të gjithë e kemi aq të njohur atë ndjesinë sikur diçka e keqe do të ndodhë, atë ndjesinë e shqetësimit për të ardhmen, e cila është në fakt shumë e paqartë dhe nuk e kuptojmë pse apo nga na vjen. Shpesh, shoqëruar me këto ndjesi, ndjejmë edhe rrahje më të shpeshta të zemrës, nuk përqëndrohemi dot, apo siç thuhet dhe në një gjuhë më popullore, "nuk më mban vendi". Në raste edhe më të vështira, këto ndjesi na lenë pa gjumë gjithë natën ose mund të bëjmë një gjumë siç i themi "copa-copa".

Ankthi është një nga ato emocione të cilat janë ndër më themeloret të qenies tonë. Ankthi në vetvete është një sinjal që ne na jep truri se diçka nuk shkon, se ka një problem. Ne kemi evoluar përgjatë mijëra viteve për të qenë specie vigjilente për mjedisin ku jetojmë dhe rreziqet e mundshme, veçanërisht ato që kërcënojnë drejtpërdrejt mbijetesën tonë. Në epokat para revolucionit agrikulturor, njerëzit ishin vigjilentë ndaj kërcënimeve që mund të vinin nga kafshët e tjera, dhe kjo vigjilencë gradualisht u zhvendos drejt sëmundjeve të rrezikshme gjatë periudhave deri në revolucionin industrial, e deri më sot ku shqetësimet më të mëdha duken se janë ato ekonomike dhe të mirëqenies dhe së ardhmes. Gjatë vitit të fundit shqiptarët kanë përjetuar ankth mbi fatkeqësi natyrore si tërmetet dhe pandemitë, konkretisht të shkaktuar nga sëmundja Covid-19.

Ankthi është një emocion normal njerëzor; është gati e pamundur të imagjinohet një jetë e cila nuk ka shqetësime duke qenë se vetë e ardhmja është plotësisht e panjohur. Deri këtu, ankthi është një emocion i shëndetshëm duke qenë se na përgatit për rreziqe potenciale. Megjithatë, fatkeqësisht shumë njerëz vuajnë nga problemet dhe çrregullimet e ankthit, të cilat e pengojnë personin që vuan. Individët që vuajnë nga shqetësimet e ankthit shfaqin probleme të mëdha në funksionimin e tyre të përditshëm në shumë aspekte.

Në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore, ankthi përkufizohet si një shqetësim dhe një frikë e tepërt mbi ngjarje të ndryshme. Çrregullimet e ankthit janë disa llojesh, dhe kanë simptoma specifike të cilat dallojnë nga njëra-tjetra.

Çrregullimi i ankthit të përgjithësuar përfshin shqetësim të tepruar mbi aktivitetet e përditshme. Ky lloj tensioni dhe shqetësimi shoqërohet edhe me simptoma fizike si pagjumësia, rrahje më të shpeshta të zemrës, irritueshmëri, vështirësi në përqëndrim, agjitim, etj. 

Çrregullimi i panikut lidhet të atakeve të panikut, të cilat kanë si simptomë kyçe ndjesinë e dridhjeve, dhimbje kraharori, rrahje shumë të shpeshta të zemrës, marrje fryme, mpirje, ndjesi mbytje, frikë nga humbja e kontrollit dhe/ose vdekja, etj. Këto simptoma janë shumë të ngjashme me ato të atakut të zemrës dhe shpesh njerëzit shkojnë në urgjencë, por në fakt analizat mjekësore tregojnë se të gjitha parametrat janë në rregull dhe se zemra nuk ka asnjë problem.

Fobitë janë shqetësime që ne i njohim shumë mirë dhe që lidhen me një objekt specifik që përgjithësisht nuk është i dëmshëm, për shembull fobia nga një kafshë, klaustrofobia, apo fobia nga fluturimi, si disa fobi mjaft të zakonshme dhe që hasen tek shumë njerëz.

Agorafobia është frika nga pamundësia për të shpëtuar dhe larguar nga situata që mund të jenë të vështira, turpëruese, ose që mund të shkaktojnë atake paniku. Agorafobia zakonisht përjetohet në mjedise të tilla si transporti publik, hapësira publike me shumë njerëz, hapësira të mbyllura, qëndrimi në turma, etj. Agorafobia është një problem mjaft serioz dhe që mund të shkaktojë pamundësinë e individit për të dalë nga shtëpia. 

Çrregullimi i aknthit social karakterizohet nga ankthi dhe shqetësimi se do të turpërohet, tallet, refuzohet, ose përbuzet në situata të ndryshme sociale. Personat që vuajnë nga ky çrregullim përpiqen të shmangen nga këto situata, ose i përballojnë me mjaft ankth. Zakonisht shfaqet në format e frikës nga i foluri në publik, frikës nga takime me njerëz të rinj, ose të ngrënit apo të pirët në publik. 

Ankthi shoqërohet ose shoqëron edhe çrregullime të tjera, si çrregullimi obsesiv-kompulsiv, çrregullimi i stresit post-traumatik. Gjithashtu, shpesh simptoma të ankthit shfaqen dhe kur personi vuan ose diagnostikohet me çrregullime të humorit si depresioni, të cilat duket se shpesh janë krah njëri-tjetrit.

Shpesh ankthi ngatërrohet me problemet e zemrës pagjumësinë, ose shqetësime të tjera fizike dhe ndodh që personat të kryejnë vizita mjekësore, ndërkohë që rezultatet tregojnë se nuk ka probleme të shëndetit fizik. Ndodh që këta persona mund të fajësojnë edhe mjekun ose aparaturat, kur ndërkohë në të vërtetë problemi qëndron diku tjetër. Sigurisht që ankthi ka mjaft simptoma fiziologjike, por duhet bër përpjekje për të mos i ngatërruar shqetësimet. 

Ankthi është i vështirë për t'u përballuar vetë për shkak të natyrës së tij mjaft mbytëse dhe penguese, megjithatë terapitë psikologjike dhe ato farmakologjike kanë treguar se çrregullimet e ankthit janë të trajtueshme dhe se personat nuk janë të destinuar të vuajnë përjetësisht nga to. Sigurisht nuk është absolutisht turp pranimi i faktit që ne të gjithë frikësohemi për një arsye apo tjetër, dhe se kërkimi i ndihmës është ilaçi numër një i përballimit të frikërave dhe situatave të vështira.

Comments

Popular posts from this blog

Proçesi i këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë

... Individualiteti njerëzor ka nevojë për kushte të favorshme për t'u rritur "nga një rrënjë në një lis"... - Karen Horney Qysh kur kam nisur studimet për psikologji dhe deri tani (e besoj do të vazhdojë e më vonë) më ka rastisur të dëgjoj një mori mitesh, legjendash, keqkuptimesh e moskuptimesh (por sigurisht dhe të vërteta) mbi proçesin e këshillimit psikologjik dhe psikoterapisë. Shumë më kanë pyetur nëse arrij të lexoj mendje, të tjerë më kanë kërkuar nëse mund t'i "psikologjis", ose mund të jenë rezervuar sepse kanë menduar se jam duke i "analizuar". Madje edhe më kanë pyetur nëse janë "të çmendur". Sigurisht shumica e njerëzve kanë qenë tepër kuriozë dhe më kanë bërë pyetje të ndryshme mbi këshillimin psikologjik, dhe për ta përshkruar atë po e nis me disa mite të shpeshta: Të shkosh tek terapisti është njësoj si të flasësh me një shok/shoqe; Të shkosh tek terapisti do të thotë se je i/e çmendur; Këshillimi psikologj...

Etika profesionale në këshillim dhe psikoterapi

Do të aplikoj mënyrat e trajtimit sipas aftësisë dhe gjykimit, në të mirë të pacientëve të mi, duke i mbrojtur ata nga dëmtimet dhe padrejtësitë - Betimi i Hipokratit Etika është një ndër shtyllat profesionale më të rëndësishme në ushtrimin e çdo profesioni, dhe sigurisht këtu nuk përjashtohet këshillimi psikologjik apo psikoterapia. Rregullat etike janë ato të cilat e drejtojnë sjelljen e një profesionisti tek dhënia e shërbimit sa më cilësor të mundshëm. Shërbimi cilësor nënkupton që në krye të vendosen interesat madhore të personave që e marrin shërbimin, në rastin e këshillimit psikologjik klientët ose pacientët. Parimet etike kanë ndryshuar dhe janë zhvilluar me kalimin e viteve, dekadave, dhe shekujve. Etika sigurisht është dhe filozofi por edhe praktikë, duke qenë se në botën dhe shoqëritë ku jetojmë gjërat nuk janë asnjëherë bardhë e zi; njerëzit janë qenie të ndërlikuara dhe patjetër që shoqëritë dhe kulturat rrjedhimisht do të jenë të ndërlikuara.  Disa...

Paragjykimet dhe stigmat ndaj shëndetit mendor, kërkimit të ndihmës profesionale, dhe këshillimit psikologjik

Të vetmit njerëz normalë janë ata që nuk i njeh mjaftueshëm - Alfred Adler Para disa ditësh isha në një piceri duke pritur të merrja picën time. Në lajme ishte një kronikë mbi shëndetin mendor në Shqipëri. Një djalë përmendi një rast në Itali ku një nënë kishte vrarë foshnjën e saj dy muajshe (pa ditur detaje, mund të hamendësoj prej depresionit pas lindjes, i quajtur ndryshe depresioni post-partum), dhe një djalë tjetër e shau këtë gruan në një mënyrë agresive dhe të tmerrshme, dhe që besoj se mund ta merrni me mend se ç'tha. Doja të ndërhyja por isha tepër i uritur dhe do të ishte debat i kotë besoj. Sigurisht që humbja e jetës është gjithmonë tragjike, për më tepër e një fëmije. Sidoqoftë ndjeva një neveri në ato momente. Megjithatë, për fat të keq depresioni post-partum është një shqetësim i rëndë dhe që duhet trajtuar, dhe nuk mund të shihet një grua që vuan si kriminele dhe nuk i meriton gjykime të tilla.  Pargjykimet janë një fenomen i njohur, secili prej nesh...