Ka disa plagë të cilat nuk duken në trup që janë më të thella dhe më të dhimbshme se çdo gjë që derdh gjak
- Laurell K. Hamilton
Shënim paraprak: Të mëposhmet janë listuar vetëm për qëllim informimi dhe nuk duhet të përdoren në asnjë mënyrë për të diagnostikuar veten apo të tjerë. Nëse mendoni se keni shqetësime të tilla, ose njihni një person me këto shqetësime, klikoni këtu.
Ndonjëherë na kapin disa ndjesi të cilat lidhen me një rënie humori të përgjithshme. Mund të ndihemi të lodhur, të pamotivuar, sikur kemi nevojë vetëm të flemë gjumë, të trishtuar, sikur kemi një re gri sipër kokës tonë. Shumë gjëra nuk na bëjnë përshtypje, madje edhe gjëra që ne zakonisht i shijojmë ose mund të kemi pasion, si ndeshjet e ekipit të zemrës apo shëtitjet buzë detit. Edhe socializimi dhe të dalët me shoqërinë fillojnë të na duken si diçka pothuajse e pamundur; e vetmja gjë që duam në ato momente është të rrimë vetëm, të izoluar diku në dhomën tonë.
Depresioni, në aspektin klinik, është një ndër shqetësimet më të mëdha të shëndetit mendor të shekullit, dhe sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi 250 milionë njerëz vuajnë nga depresioni. Depresioni manifestohet në një mori simptomash dhe llojesh. Simptomat më tipike janë ato të gjendjes së rënduar të humorit e shoqëruar shpesh me ndjesi trishtimi, mungese motivimi për aktivitetet e përditshme por edhe ato të cilat personi i ka shijuar më parë si hobit e ndryshme. Gjithashtu, personi ndjen dhe një lloj lodhje e cila në dukje është pa shkak, të paktën pa ndonjë shkak fizik të dukshëm.
Ndër format më të zakonshme të depresionit është çrregullimi i depresionit madhor, i cili ka simptomat e përmendura, shoqëruar edhe me pagjumësi ose gjumë të tepërt, mungesë ose shtim të urisë. si dhe ndjesi të ndryshme të fajit, vetëvlerësimit të ulur, ndjenja të pashpresshmërisë dhe pandihmueshmërisë. Në varësi të simptomave, depresioni mund të jetë i lehtë, i moderuar ose dhe i ashpër. Personat që vuajnë nga depresioni dominohen nga një ndjesi për të qëndruar vetëm duke shmangur sa të jetë e mundur aktivitetet sociale. Depresioni i moderuar dhe i ashpër është ndër ato çrregullime që ka nevojë domosdoshmërisht për trajtim.
Forma tjetër më e zakonshme është çrregullimi bipolar, i cili përveç gjendjes së humorit të ulur dhe simptomat e tjera, shoqërohet me formën e kundërt të saj, me një lloj euforie të tepruar dhe energji të jashtëzakonshme, një lloj gjendje shumë "high" të ngjashme me ato që japin drogat stimulante si kokaina. Personat që vuajnë nga një çrregullim bipolar përjetojnë disa ditë nga kjo lloj euforie, zakonisht 4 deri 7 ditë gjatë të cilave ata flenë shumë pak, janë hiperaktivë, dhe janë në lehtësisht të irritueshëm.
Shkaqet e depresionit fatkeqësisht janë të shumta dhe tepër personale, në varësi sidomos të fëmijërisë së individit. Ata zakonisht kanë përjetuar ngjarje negative të pakëndshme në fëmijëri, të cilat në shumë raste kanë qenë të shpeshta, si për shembull abuzimet e ndryshme emocionale, fizike apo seksuale. Por depresioni mund të shfaqet edhe në moshë më të rritur kur personi pëson ndonjë ngjarje traumatike, sidomos kur trauma është e vazhdueshme.
Fatmirësisht ka shumë trajtime të ndryshme për depresioni, qoftë me barna por edhe me terapitë psikologjike, si psikoanalitike apo konjitive-bihejvjorale (njohëse-sjellore). Terapitë e ndryshme kanë rezultuar mjaft efektive në studime të shumta përgjatë dekadave. Gjithashtu ka edhe mjaft programe efektive të parandalimit të depresionit të cilat fokusohen në rritjen e reziliencës tek fëmijët në shkolla dhe komunitet.
Comments
Post a Comment